• Numër shërbimi: +355 42 256091

RRETH NESH > Kuadri ligjor > Kuadri ligjor

Ligji nr. 8102 dt 28.03.1996 i ndryshuar

L I G JI Nr.8102, datë 28.3.1996
PËR KUADRIN RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE TË LARGIMIT DHE PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
I azhurnuar me:
 Ligjin nr.9352, datë 03.03.2005
 Ligjin nr.9584, datë 17.07.2006 (i ndryshuar me ligjin nr.9845, datë 17.12.2007)
 Ligjin nr.9915, datë 12.05.2008
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i këtij ligji
Qëllimi i këtij ligji është vendosja e një kuadri rregullator dhe ngritja e një Enti Rregullator të Pavarur për furnizimin me ujë dhe largimin e përpunimin e ujërave të ndotura. Në këtë ligj përcaktohen funksionet, kompetencat, procedurat dhe standardet nën të cilat ky Ent Regullator do të operojë.
Një objektiv i rëndësishëm i këtij ligji është garantimi dhe mbrojtja e interesave publike nga njëra anë dhe krijimi i një mjedisi transparent ligjor dhe rregullator që do të nxisë investimet private në këtë sektor.
Neni 2
Përkufizime
1) “Ligj” është ligji për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura (ujësjellës, kanalizime).
2) “Ent Rregullator” është institucioni i rregullimit të sektorit të furnizimit me ujë, të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura.
3) “Komisioni” do të kuptohet si Komisioni Kombëtar i Rregullimit që udhëheq Entin Rregullator.
4) “Ministria” është ministria përgjegjëse, që drejton politikat në fushën e furnizimit me ujë, kanalizimet e ujërave të zeza dhe trajtimin e tyre.
5) “Rezerva ujore” janë të gjitha burimet ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore që gjenden brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë.
6) “Ujëra të ndotura” janë ato ujëra që janë përdorur për qëllime hidrosanitare dhe industriale, grumbullimi, përpunimi dhe largimi i të cilave është urdhëruar për shëndetin dhe komoditetin publik.
7) “Sektori i furnizimit me ujë” ka të bëjë me të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me
grumbullimin, trajtimin dhe shpërndarjen e burimeve ujore për qëllime publike.
8) “Prodhimi i ujit” ka të bëjë me të gjitha burimet natyrore të ujit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë shtresat ujëmbajtëse nëntokësore (akuaferet) dhe të gjitha burimet e tjera nëntokësore dhe sipërfaqësore.
9) “Grumbullimi i ujit” ka të bëjë me të gjitha ato veprimtari që nëpërmjet strukturave apo mekanizmave të tillë, si: diga, puse, depo uji, cisterna, kanale, ujësjellësa, tubacione, kanale kulluese dhe kanalizime të ujërave të zeza grumbullojnë, kanalizojnë, ndryshojnë drejtimin apo nxjerrin ujin për përfitim publik.
10) “Shpërndarja e ujit” ka të bëjë me të gjitha veprimtaritë me anë të të cilave uji pompohet, transportohet dhe shpërndahet nga një vend në tjetrin për përfitim publik.
11) “Trajtimi i ujit” ka të bëjë me të gjitha metodat dhe mjetet, qofshin këto kimike, mekanike, elektrike etj., që përdoren për pastrimin apo ndryshimin e gjendjes së ujit për përfitim publik.
12) “Operatorë” janë subjektet e licencuara, që operojnë në sistemet e furnizimit me ujë, kanalizimeve të ujërave të zeza dhe trajtimit të tyre.
13) “Pagesa të rregullimit” janë pagesa vjetore, të vendosura nga Enti Rregullator, të detyrueshme për operatorët.
Neni 3
Sfera e veprimit të ligjit
Ky ligj vepron në të gjitha veprimtaritë private dhe shtetërore në sektorin ujësjellës e të kanalizimeve, duke përfshirë, por jo e kufizuar në të drejtat e personave fizikë e juridikë, si dhe të organeve shtetërore qendrore e vendore.
KREU II
NGRITJA E ENTIT RREGULLATOR
Neni 4
Përbërja e Entit
(1) Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Këshilli i Ministrave do të emërojë një komision të pavarur rregullator, që do të njihet me emrin Komisioni Kombëtar Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (“Komisioni”), i cili do të ketë kompetencat dhe funksionet e përshkruara në këtë ligj.
(2) Enti është person juridik me të gjitha të drejtat dhe detyrat sipas legjislacionit në fuqi.
(3) Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë që do të emërohen nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet personave të zgjedhur nga Ekipi Përzgjedhës.
Lista përfshin:
a) Dy anëtarë të cilët duhet të jenë profesionistë të kualifikuar me diploma universitare dhe të paktën 10 vjet përvojë si inxhinier ndërtimi, hidrologji, urbanistikë, shëndetësi, epidemiologji, mikrobiologji apo disiplina të tjera të ngjashme me mandat katër (4) vjet dhe një (1) vit përkatësisht që nga formimi i Komisionit.
b) Dy anëtarë të cilët duhet të jenë profesionistë të kualifikuar me diploma universitare dhe të paktën 10 vjet përvojë në ekonomi, biznes, tregti, sistem bankar, kontabilitet, drejtësi, administratë publike apo disiplina të tjera të ngjashme me mandat tre (3) vjet dhe dy (2) vjet përkatësisht, që nga formimi i Komisionit.
c) Një (1) anëtar, i cili do të jetë Kryetari i Komisionit. Kryetari duhet të jetë një person i shquar me të paktën 15 vjet përvojë në një apo më shumë nga disiplinat e përshkruara në pikat (a) dhe (b) më sipër. Ai do të emërohet për një mandat prej 5 vjetësh nga
krijimi i Komisionit.
d) Me përfundimin e mandatit të anëtarëve të parë të Komisionit, siç parashikohet në pikat (a), (b), (c) më sipër, anëtarët e ardhshëm do të emërohen për një mandat prej 4 vjetësh. Në rast vdekjeje apo largimi të një anëtari para përfundimit të mandatit, personi që e zëvendëson do të qëndrojë deri në fund të mandatit të papërfunduar.
e) Asnjë anëtar nuk ka të drejtë të shërbejë në Komision për më tepër se 2 mandate të plota.
f) Çdo anëtar, para emërimit, do të njoftojë Këshillin e Ministrave dhe para se të fillojë detyrën do të japë dorëheqjen nga çdo post, punësim apo konsulencë. Ai do të shesë dhe likuidojë çdo interes financiar që mund të ketë në çdo firmë, grup personash apo kompani që ushtron veprimtari komerciale nën juridiksionin e Entit Rregullator.
(4) Ekipi Përzgjedhës:
a) do të mblidhet sa herë që të jetë e nevojshme, por në çdo rast jo më vonë se 3 muaj para përfundimit të mandatit të një anëtari të Komisionit;
b) do të përbëhet nga tre anëtarë nga të cilët një do të caktohet nga Parlamenti, një do të caktohet nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Ministria. Ekipi Përzgjedhës do të identifikojë dhe do të vlerësojë kandidatë të përshtatshëm për të qenë anëtarë të Komisionit, të cilët duhet të përmbushin cilësitë minimale të përcaktuara në pikën shtatë (7) të këtij neni. Ekipi Përzgjedhës do të veprojë me shpejtësi brenda dy muajsh nga formimi i tij, do të identifikojë dhe vlerësojë kandidatët e kualifikuar dhe, me shumicë votash, do të caktojë kandidatët më të mirë për të kryer funksionet, detyrat dhe kompetencat e një anëtari të Komisionit, siç parashikohet në këtë ligj. Gjatë seleksionimit të kandidatëve, Ekipi Përzgjedhës do t’i kushtojë rëndësi aftësive, cilësive dhe përvojës së anëtarëve të mëparshëm të Komisionit, në mënyrë që të arrihet një balancë e cilësive dhe aftësive të parashikuara në pikën 7 të këtij neni.
(5) Ekipi Përzgjedhës do të njoftojë menjëherë Këshillin e Ministrave për listën e kandidatëve të seleksionuar për Komision. Brenda 30 ditësh nga ky lajmërim, Këshilli i Ministrave do të bëjë emërimet e nevojshme për anëtarë komisioni, nga lista e kandidatëve të dorëzuar nga Ekipi Përzgjedhës.
(6) Anëtarët e emëruar të Komisionit, gjatë gjithë mandatit të tyre, do të punojnë konform standardeve më të larta të shërbimit publik, duke shmangur në mënyrë skrupuloze të gjitha konfliktet e interesit, faktike apo në dukje, dhe do të veprojnë duke pasur si qëllim kryesor ruajtjen e interesit publik.
(7) Një person nuk mund të jetë anëtar i komisionit nëse:
a) është deputet i Kuvendit apo ka një post tjetër, të zgjedhur apo i emëruar, në pushtetin qendror apo lokal;
b) ka lidhje të afërta farefisnore, martesore me ata anëtarë të Këshillit të Ministrave pozita e të cilëve mund të krijojë konflikt interesash për anëtarin e Komisionit;
c) ka qenë i dënuar për mashtrim, korrupsion, vjedhje, apo krime të tjera jopolitike;
d) ka interesa financiare në një korporatë apo kompani që i nënshtrohet kuadrit rregullator të Entit;
e) është i përjashtuar nga mundësia për të mbajtur poste publike/shtetërore nga ligje apo dispozita të tjera ligjore në fuqi.
Neni 5
Shkarkimi i anëtarëve të Komisionit
(1) Këshilli i Ministrave mund të shkarkojë dhe të largojë nga detyra çdo anëtar të Komisionit i cili:
a) do të ketë probleme të paaftësisë mendore apo gjendja e tij fizike e pengon atë në
kryerjen e detyrës si anëtar;
b) dënohet për mashtrim, korrupsion, vjedhje apo krime të tjera të kryera gjatë mandatit të tij;
c) bëhet ose kërkon të bëhet punonjës i administratës shtetërore apo deputet i Kuvendit apo ndonjë pozitë tjetër e zgjedhur apo e emëruar me përjashtim të anëtarësisë në shoqata profesionale apo politike dhe në detyra që u përkasin këtyre të fundit;
d) pa ndonjë shkak të arsyeshëm ka refuzuar të kryejë apo nuk kryen detyrën ose është i paaftë për të vepruar për një periudhë prej gjashtë (6) muajsh apo më tepër;
e) përfshihet në një nga dispozitat e pikës 7 të nenit 4 të këtij ligji.
(2) Në rastin kur një anëtar largohet nga detyra, siç parashikohet në pikën 1 të këtij neni, zëvendësuesi do të emërohet nga Këshilli i Ministrave nga një listë kandidatësh e përgatitur dhe e paraqitur nga Ekipi Përzgjedhës, siç parashikohet në pikën 4/b të nenit 4.
(3) Çdo anëtar i cili është shkarkuar në mënyrë të ligjshme nga detyra nuk ka të drejtë të rizgjidhet në Komision.
Neni 6
Procedurat e Entit Rregullator
(1) Selia e Entit Rregullator do të jetë në Tiranë. Megjithatë, Enti Rregullator mund të organizojë seanca pune, konsultime dhe gjykime në çdo vend të Republikës së Shqipërisë.
(2) Enti Rregullator do të nxjerrë rregullat dhe procedurat e veta për të garantuar kryerjen sa më të mirë të detyrave të tij sipas këtij ligji. Rregullat, procedurat, standardet, urdhrat, procedimet dhe akte të tjera zyrtare të Entit Rregullator do të botohen ose do të jenë të hapura për publikun. Të gjitha urdhrat përfundimtare të Entit Rregullator do të jepen me shkrim dhe do të përfshijnë një shpjegim të veprimit të ndërmarrë nga Enti Rregullator.
(3) Enti Rregullator mund të hetojë fakte, kushte, praktika apo çështje të cilat mund të jenë të nevojshme apo të duhura: 1) për të përcaktuar nëse një person ka shkelur apo është duke shkelur këtë ligj apo rregulla të bazuara në këtë ligj; 2) për të ndihmuar në zbatimin e dispozitave të këtij ligji apo të rregullave të barazuara në këtë ligj.
Neni 7
Roli i kryetarit të komisionit
(1) Kryetari është drejtuesi kryesor ekzekutiv i Entit Rregullator.
(2) Një nga anëtarët do të jetë zëvendëskryetar, do të plotësojë detyrat dhe do të ushtrojë kompetencat e kryetarit në mungesë të këtij të fundit. Zëvendëskryetari i parë do të jetë një nga anëtarët që do të caktohet nga kryetari dhe do të shërbejë për një mandat një (1) vjeçar. Pas kësaj zëvendëskryetar do të jetë secili anëtar me një skemë rotative çdo një vit.
Neni 8
Shpërblimi dhe kushtet e shpërblimit
(I shfuqizuar)
Neni 9
Struktura organizative e Entit Rregullator
(1) Struktura, organika dhe kategorizimi i pozicioneve të punës të Entit Rregullator miratohen me vendim të Kuvendit. Komisioni ka të drejta për të zgjedhur, caktuar, ngritur në detyrë, përfshirë edhe të drejtën e heqjes dhe të ricaktimit në detyrë, si dhe për të përcaktuar detyrat e punonjësve të stafit profesionist, për kryerjen e funksioneve të Entit Rregullator.
(2) Komisioni përcakton rregullat e punësimit të stafit të tij profesionist, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe përcakton organizimin e këtij stafi profesionist.
Neni 10
Financimi i Entit Rregullator
(1) Operacionet e Entit Rregullator do të financohen nga:
a) burimet e financimit të Entit Rregullator përbëhen nga pagesat e rregullimit, të vendosura nga ajo vetë për operatorët, që operojnë në sistemet e furnizimit me ujë, të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe trajtimit të tyre, nga pagesat e licencave dhe nga donacione të ndryshme;
b) (e shfuqizuar)
(2) Fondet e Entit Rregullator do të administrohen nëpërmjet llogarive të hapura në banka shqiptare të miratuara nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë.
Neni 11
Buxheti dhe llogaritë financiare të Entit Rregullator
(1) Jo më vonë se tre (3) muaj para fillimit të çdo viti fiskal, Enti Rregullator do të ndërtojë një fond të shpenzimeve të parashikuara operative për t’ia paraqitur për miratim Këshillit të Ministrave.
(2) Enti Rregullator do të mbajë llogari të plota dhe të sakta të shpenzimeve faktike në përputhje me legjislacionin shqiptar të kontabilitetit.
(3) Të gjitha të ardhurat e tepërta mbi shpenzimet e Entit Rregullator do të kalohen në buxhetin e shtetit.
KREU III
RREGULLIMI I SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË
Neni 12
Përgjegjësia dhe kompetencat e Këshillit të Ministrave
Këshilli i Ministrave miraton politikat dhe strategjitë kombëtare në sektorin e furnizimit me ujë dhe të largimit e të përpunimit të ujërave të ndotura.
Neni 13
Detyra të përgjithshme të Entit Rregullator
(1) Në ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave sipas këtij ligji, Enti Rregullator do të veprojë në mënyrë të tillë që:
a) të nxitë eficencën dhe sigurinë nga ana e të licensuarit dhe përdorimin me efikasitet të ujit;
b) të bëjë të mundur që i licensuari të financojë veprimtaritë e autorizuara nga licenca që ka marrë;
c) të bëjë të mundur që të plotësohen të gjitha kërkesat e arsyeshme për furnizimin me ujë brenda kufijve të leverdisë ekonomike;
d) të garantojë që të licensuarit të veprojnë në përputhje me kushtet e licencës së tyre dhe të mbrojnë interesat e konsumatorëve në lidhje me:
(i) çmimet, tarifat dhe kushtet e tjera të shërbimit; (ii) cilësinë, eficencën, vazhdueshmërinë dhe garancinë e shërbimit;
e) aty ku është e mundur dhe efikase, të nxisë konkurrencën;
f) të arrijë transparencën në veprimtaritë e tij;
g) të gjejë një ekuilibër të drejtë midis interesave të konsumatorëve, Këshillit të Ministrave, publikut, investitorëve dhe pjesëmarrësve në sektorin e furnizimit me ujë.
h) të marrë pjesë si këshillues në hartimin e strategjive dhe të politikave kombëtare në sektorin e furnizimit me ujë dhe të largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.
Neni 14
Kompetenca të përgjithshme të komisionit
(1) Për të përmbushur mandatin e tij sipas këtij ligji, komisioni do të ketë kompetencat e mëposhtme:
a) të japë licensa për entet komerciale që janë të angazhuara në kryerjen e shërbimit të furnizimit me ujë në të mirë të popullatës;
b) të miratojë çmimet dhe tarifat e shitjes së ujit, me shumicë dhe pakicë, tarifat për ujërat e përdorura dhe tarifat e trajtimit të tyre, afatet dhe kushtet e shërbimit, të ofruara nga operatorët, që sigurojnë ujë për konsum publik, edhe në rastet kur sistemet e ujësjellës-kanalizimeve kanë kaluar në administrim ose në pronësi të njësive të qeverisjes vendore;
c) të caktojë standardet për programet e investimeve dhe për shitjen e aseteve nga të licencuarit në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, edhe në rastet kur sistemet e ujësjellës-kanalizimeve kanë kaluar në administrim ose në pronësi të njësive të qeverisjes vendore;
d) të krijojë dhe të garantojë zbatimin e standardeve të punës për të licensuarit;
e) të inkurajojë standarde dhe rregulla uniforme për të gjithë sektorin;
f) të përgatisë raporte për gjendjen e sektorit për Këshillin e Ministrave dhe të grumbullojë informacionin përkatës nga të licencuarit;
g) të caktojë tarifat e aplikueshme për licencat;
h) të vendosë sanksione administrative dhe monetare;
i) të nxjerrë rregulla për të ndihmuar në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve të parashikuar në këtë ligj;
j) të kryejë çdo funksion tjetër që vjen si pasojë e funksioneve të mësipërme.
Neni 15
(1) Personat fizikë apo juridikë, që merren me veprimtarinë e grumbullimit, të shpërndarjes, largimit dhe trajtimit të ujit, për përfitim publik, duhet të pajisen me licencë nga ERRU-ja.
(2) Sa herë që ka mosmarrëveshje apo mospajtim mendimi, për faktin nëse një person është duke kryer apo jo funksionet e përmendura në pikën 1 të këtij neni, çështja do t’i kalohet për shqyrtim komisionit dhe urdhri i tij është i formës së prerë.
Neni 16
Kushtet e marrjes së licencës
(1) Çdo person, fizik apo juridik, mund të kërkojë dhe të konsiderohet i aftë për licencë, në qoftë se komisioni vendos që ai i përmbush kushtet e mëposhtme:
a) (i) aftësi tekniko-profesionale;
(ii) aftësi financiare të nevojshme për të përmbushur funksionet dhe për të plotësuar kushtet e licencës për të cilën po kërkon;
b) përvojë në sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve, të mjaftueshme për të marrë përsipër detyrimet që ka licensa;
c) cilësi personale si kredibilitet dhe seriozitet;
d) të ketë një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë dhe një përfaqësues, i cili do të jetë përgjegjës për të komunikuar me komisionin dhe me organet e tjera shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me veprimtaritë e licencuara.
(2) Komisioni mund të kërkojë të dhëna dhe dëshmi që mbështesin kërkesën e kandidatit për licencë dhe komisioni mund të refuzojë dhënien e saj, në qoftë se kushtet e paraqitura nga kërkuesi vijnë në kundërshtim me pikat a, b, c dhe d të këtij neni.
Neni 17
Dhënia e licencave nga komisioni
(1) Komisioni, pas aplikimit të bërë në atë formë që ka caktuar ai vetë dhe pas pagesës së një tarife nga aplikanti, jep licencën e cila autorizon një person të kualifikuar që:
a) të grumbullojë dhe të trajtojë ujin në impiantet e tij;
b) të shpërndajë ujin për konsum publik;
c) të largojë dhe të përpunojë ujërat e ndotura.
(2) Kategoritë e licencave dhe procedurat e aplikimit për licenca do të përcaktohen me një urdhër të veçantë të Këshillit të Ministrave.
(3) Komisioni ka të drejtë të modifikojë apo të bëjë amendamente në licenca, gjithnjë duke i dhënë mundësi të licencuarit të shprehë mendimet e tij për këto ndryshime.
Neni 18
Amendamentet dhe revokimi i licencave
(1) Komisioni ka të drejtë të bëjë amendamente apo të revokojë një licencë, të dhënë në rast të “dështimit material” të të licencuarit, për të qenë konform me kushtet e licencës apo për ndonjë shkak tjetër të arsyeshëm.
(2) Komisioni do të përcaktojë procedurat që kanë të bëjnë me amendamentet dhe revokimin e licencave dhe këto procedura duhet të përfshijnë lajmërimin në kohë të të licencuarit dhe dhënien e mundësisë atij për t’u përgjigjur para veprimit nga komisioni.
Neni 19
Kufizimet, licencat dhe të licencuarit
(1) Asnjë i licencuar nuk ka të drejtë, pa miratimin me shkrim nga komisioni, të blejë apo të përvetësojë në një formë tjetër licencën e një të licencuari tjetër, i cili është në veprimtarinë e trajtimit apo shpërndarjes së ujit.
(2) I licencuari nuk ka asnjë lloj të drejte të transferojë licensën apo sipërmarrjen e tij me anë të shitjes, hipotekimit, dhënies me qira, këmbimit apo ndonjë forme tjetër, pa miratimin paraprak me shkrim të komisionit. Ky miratim me shkrim nuk duhet të refuzohet apo të vonohet pa arsye nga ana e komisionit.
(3) Mbajtësi i licencës mundet, me përjashtim të rasteve kur është e ndaluar shprehimisht në kushtet e licencës, të bëjë marrëveshje për shitjen apo blerjen e ujit me:
a) mbajtësin e një licence shpërndarjeje, e cila e lejon këtë mbajtës të furnizojë me ujë të licencuar të tjerë për shpërndarjen;
b) çdo person, pas miratimit të komisionit.
(4) Çdo marrëveshje që ka të bëjë me trasaksione të tipit të përshkruar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, është e pavlefshme pa miratimin e komisionit.
Neni 20
Llogaritë vjetore të të licencuarit
Çdo i licencuar, përveç rasteve kur është përjashtuar nga ky detyrim në kushtet e licencës, do të përgatisë dhe dorëzojë në komision, para ose në datën e specifikuar në licencë, pasqyrat kontabël të sipërmarrjes së tij dhe të çdo njësie biznesi të veçantë në atë formë dhe me atë nivel detajesh siç është përcaktuar në licencë. Kusht i licencës do të jetë edhe revizionimi dhe botimi i këtyre llogarive kontabël.
KREU IV
TARIFAT E UJIT
Neni 21
Standardet dhe tarifat
(1) Enti Rregullator, nëpërmjet kuadrit të plotë të rregullave të miratuara, përcakton procedurat dhe standardet minimale kombëtare për vendosjen e tarifave, si dhe afatet e kushtet e shërbimit për çdo veprimtari të ushtruar nga operatorët në sektorin e furnizimit me ujë dhe të largimit e përpunimit të ujërave të ndotura.
(2) Ndërmjet standardeve të tjera që Enti Rregullator mund të vendosë sipas pikës 1 të këtij neni, çmimet për trajtimin dhe shpërndarjen e ujit :
a) do të mbrojnë konsumatorët nga çmimet monopol;
b) do t’i japin mundësi të licencuarit të rikuperojë kostot e arsyeshme të kryerjes së një shërbimi efektiv, duke përfshirë dhe mundësinë për të siguruar një fitim mbi investimin e tij, që është i mjaftueshëm për përmirësime kapitale dhe ndërtime të reja;
c) do të inkurajojnë efikasitetin në operacionet e brendshme, duke bërë të mundur rritjen e fitimit financiar të të licencuarit nëpërmjet rritjes së të ardhurave bruto nga redukimi i humbjeve joteknike apo uljes së kostove të shërbimit, me kusht që i licencuari të përmbushë të gjitha kërkesat e licencës së tij në lidhje me kryerjen dhe cilësinë e shërbimit dhe kërkesa të tjera të aplikueshme kontraktuese;
d) do të inkurajojnë efikasitetin ekonomik brenda sektorit, duke dhënë sinjale të sakta të çmimeve në lidhje me ofertën e tepërt apo të paktët;
e) do të pasqyrojnë hapur dhe qartë subvencionet e dhëna nga Këshilli i Ministrave;
f) do të pasqyrojnë ndryshimet në kosto dhe në aspekte të tjera midis klasave të klientëve dhe llojeve të shërbimit, në varësi të subvencioneve që do të aplikohen;
g) do t’u japin mundësi të licencuarve të respektojnë ligjet për mbrojtjen e mjedisit.
Neni 22
Procedurat për vendosjen e tarifave
(1) Enti Rregullator përcakton metodologjinë e përllogaritjes së tarifave të shitjes, me shumicë dhe pakicë, të ujit për konsum publik, tarifat për ujërat e përdorura dhe trajtimit të tyre, duke u mbështetur në dispozitat e këtij ligji.
(2) Procedura për vendosjen e tarifave fillon me propozimin e bërë nga i licencuari, dhënien e mendimit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe përfundon me miratimin përfundimtar të tarifave nga Enti Rregullator.
(3) Asnjë tarifë apo pjesë e saj nuk mund të ndryshohet më shumë se një herë në vit.
(4) Enti Rregullator përcakton, për çdo operator, pagesën e rregullimit, e njofton operatorin për detyrimin që duhet të paguajë dhe lidh kontratën me të brenda 30 ditëve nga njoftimi. Në rast se operatori nuk zbaton detyrimet kontraktuale, ndaj tij zbatohen sanksione, në përputhje
me pikën 1 të nenit 32 të këtij ligji.
KREU V
TË PËRGJITHSHME
Neni 23
Garantimi i zbatimit të ligjit
(1) Në ato raste kur Enti Rregullator mendon se një i licencuar është në kundërshtim me kushtet e licencës së tij apo me dispozitat e këtij ligji, atëherë komisioni do të nxjerrë një urdhër për të garantuar zbatimin e tyre.
(2) Nëse komisioni vendos të nxjerrë një urdhër, atëherë ai duhet të njoftojë të licencuarin:
a) të deklarojë se po përgatit nxjerrjen e një urdhri;
b) të deklarojë kushtin apo kërkesën përkatëse me anë të të cilit urdhri synon të garantojë respektueshmërinë e ligjit, aktin apo veprimin që, sipas opinionit të komisionit përbën shkelje të kushtit të deklaruar dhe fakte të tjera që justifikojnë nxjerrjen e urdhrit;
c) të specifikojë periudhën (e cila të jetë jo më pak se pesë (5) ditë nga data e njoftimit) brenda së cilës i licensuari mund të bëjë paraqitjen apo kundërshtimet e urdhrit të propozuar.
(3) Pasi të licencuarit t’i jetë dhënë mundësia të paraqesë problemin dhe të mbrohet ndaj akuzave që i bëhen, komisioni, pasi merr në shqyrtim kundërshtimet (në qoftë se ka) dhe shpjegimet e të licensuarit, në përputhje me afatet e dhëna në pikën 2/c të këtij neni, nxjerr një urdhër (i cili mund të jetë i modifikuar në bazë të shpjegimeve dhe kundërshtimeve të të licencuarit) në çdo kohë pas kalimit të periudhës së përmendur në pikën 2/c të këtij neni, në qoftë se:
a) Komisioni ka arsye të fortë të besojë se i licencuari për të cilin del urdhri i është kundërvënë dhe ka shkelur një kusht apo kërkesë të caktuar;
b) nxjerrja e urdhrit është e dobishme për të shmangur një shkelje të mundshme të një kushti apo kërkese nga i licencuari.
(4) Pas nxjerrjes së urdhrit, komisioni:
a) do t’i japë një kopje të licencuarit për të cilin është nxjerrë urdhri;
b) do të botojë urdhrin në atë formë që e sheh të përshtatshme për të tërhequr vëmendjen e personave që ka të ngjarë të preken nga ai;
c) do të fillojë veprimet administrative në bazë të urdhrit.
(5) Njësitë e qeverisjes vendore, pronare të sistemeve të furnizimit me ujë dhe të largimit e përpunimit të ujërave të ndotura, kanë të drejtë të kontrollojnë subjektet e licencuara për zbatimin e këtij ligji, për respektimin prej tyre të kushteve të licencës dhe përdorimin e tarifave të ujit për konsum publik, të vendosura nga Enti Rregullator.
Neni 24
Vlefshmëria dhe efekti i urdhrit
(1) Në qoftë se i licencuari për të cilin është nxjerrë urdhri vë në dyshim vlefshmërinë e tij, duke pretenduar se nxjerrja e këtij urdhri dhe sanksionet vijuese sipas nenit 23 nuk janë kompetencë e komisionit, apo komisioni nuk i ka dhënë arsye të mjaftueshme për urdhrin e tij, atëherë i licencuari mund të ankohet në gjykatën kompetente.
Neni 25
Standardet dhe kushtet teknike
(1) Enti Rregullator do të inkurajojë, me të gjitha mënyrat që e konsideron të përshtatshme, krijimin e standardeve të punës për të gjithë sektorin dhe kushtet teknike, të cilat do të zbatohen njësoj në të gjithë Shqipërinë. Në këto standarde dhe rregulla do të përfshihen:
a) kriteret e planifikimit të sigurisë, garancisë dhe efektivitetin e kostos së sistemit;
b) praktikat dhe standardet e ndërtimit;
c) praktikat dhe procedurat për shfrytëzimin e sistemit;
d) afatet e mirëmbajtjes;
e) standardizimin dhe specifikimet e materialeve e të pajisjeve;
f) standardet shëndetësore.
g) mbrojtja e mjedisit.
KREU VI
ADMINISTRIMI DHE PROCEDURAT
Neni 26
Kuadri rregullator
(1) Rregulloret e hartuara nga Enti Rregullator duhet të botohen dhe do të kenë fuqi detyruese për zbatim. Kuadri rregullator mund të plotësohet herë pas here, ashtu siç e sheh të nevojshme Komisioni.
(2) Çdo vit komisioni, duke filluar pas vitit të parë të krijimit, do të dorëzojë në Këshillin e Ministrave një raport që përshkruan me hollësi përparimet që komisioni ka bërë në finalizimin e kuadrit rregullator dhe në detyrat e tjera të kërkuara nga ky ligj.
Neni 27
Hetimet
(1) Enti Rregullator ka të drejtë të hetojë çfarëdo fakti, kushti, praktikë apo çështje, të cilën ai e konsideron të nevojshme për të përcaktuar nëse një person ka shkelur ndonjë nga dispozitat e këtij ligji, apo për të ndihmuar në zbatimin sa më mirë të tyre dhe të kuadrit rregullator.
Neni 28
Aktet nënligjore
Të gjitha urdhrat, vendimet dhe rregullat e Entit:
(1) Duhet të jenë të shkruara.
(2) Duhet të përcaktojnë:
a) anëtarët e komisionit (duke përfshirë dhe kryetarin), të cilët votuan për këtë urdhër, rregull apo vendim;
b) votën e secilit anëtar;
(3) të tregojnë, në rastin e një urdhri apo vendimi të marrë nga një komitet special i deleguar nga komisioni, anëtarin apo punonjësin që ka marrë pjesë në këtë komitet;
(4) të kenë një shpjegim me shkrim për arsyet e ngritjes së këtij komiteti special.
Neni 29
Procedurat
(1) Enti Rregullator miraton rregullat procedurale, që do të përdorë për kryerjen e funksioneve që i jep ky ligj. Këto rregulla përmbajnë:
a) njoftim publik për (i) synimin e komisionit për të filluar hetime apo për të nxjerrë
rregulla dhe (ii) skedimin e aplikimeve, ankesave dhe kërkesave të tjera që i janë dorëzuar komisionit;
b) mundësinë për koment publik, duke përfshirë edhe koment nga ana e Këshillit të Ministrave.
(2) Sa herë që kryetari e sheh të nevojshme dhe në bazë të udhëzimeve të tij, komisioni do të organizojë seanca publike.
Neni 30
Ankesat
Çdo person i interesuar mund t’i dërgojë komisionit një ankesë me shkrim për një të licencuar, për të cilin mendon se ka shkelur dispozitat e këtij ligji apo të ndonjë urdhri, rregulli, licence apo udhëzimi të nxjerrë sipas këtij ligji. Komisioni do të njoftojë menjëherë të licencuarin me anë të një njoftimi me shkrim për ankesën dhe do t’i lërë atij mundësinë për t’iu përgjigjur me shkrim.
Procedurat e ankimit bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Neni 31
Mbledhja e raporteve dhe e informacionit
(1) Enti duhet t’i paraqesë Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit:
a) menjëherë pas përfundimit të çdo viti fiskal, por jo më vonë se dita e fundit e janarit, materialet e mëposhtme:
(i) një raport vjetor ku të përshkruhet puna njëvjeçare e Entit dhe parashikimet për zhvillimet e vitit pasardhës;
(ii) një raport sektori mbi gjendjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri, duke përfshirë, por jo e kufizuar me 1) pronësinë, shfrytëzimin dhe kontrollin e ujësjellësave; 2) kapacitetin aktual të trajtimit dhe shpërndarjes si dhe parashikimin për kërkesën për ujë në të ardhmen; 3) koston e shërbimit të furnizimit me ujë; 4) lidhjen e këtyre çështjeve me standardin e jetesës në Shqipëri; 5) rekomandime për veprime të nevojshme për t’u ndërmarrë nga Këshilli i Ministrave.
b) sa herë që kërkohet nga Këshilli i Ministrave apo Kuvendi:
(i) çdo formular, pasqyrë, llogaritje, statistikë apo informacion tjetër që ka lidhje me çdo çështje që është nën kontrollin e komisionit;
(ii) raporte për këtë çështje;
(iii) kopje të çfarëdo dokumenti në ruajtje nga komisioni.
(2) Në bazë të kuadrit rregullator të krijuar nga komisioni, çdo i licencuar sipas këtij ligji është i detyruar t’i paraqesë komisionit çfarëdolloj raporti, pasqyrë financiare dhe informacioni që komisioni e konsideron absolutisht të nevojshme për operimin e garantuar, të sigurtë dhe efikas të sistemit kombëtar të furnizimit me ujë dhe për funksionimin efektiv të Entit Rregullator.
Neni 32
Skedimi publik
(1) Dokumentacioni i skeduar i Entit do të jetë i hapur për t’u inspektuar nga publiku gjatë një periudhe të caktuar brenda orarit zyrtar. Këto skeda do të përfshijnë dokumentacionin përkatës, i cili do të ruhet dhe indeksohet sipas udhëzimeve, procedurave dhe standardeve të Entit. I gjithë ky proces do t’i nështrohet çfarëdo procedure për ruajtje sekreti që Komisioni mund të caktojë.
Neni 32/1
Kundërvajtjet administrative
(1) Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen nga Enti Rregullator si më poshtë:
a) mospagimi i detyrimeve financiare ndaj Entit Rregullator, brenda afateve kohore të përcaktuara nga ky ent, dënohet me gjobë deri në shumën l00 000 lekë;
b) moszbatimi i vendimeve të Entit Rregullator për tarifat dënohet me gjobë deri në shumën 100 000 lekë;
c) moszbatimi i kushteve të licencës dënohet me gjobë në shumën 50 000 lekë;
ç) ushtrimi i veprimtarisë pa licencë dënohet me gjobë në shumën 300 000 lekë.
(2) Gjoba është titull ekzekutiv që derdhet në Buxhetin e Shtetit.
(3) Ngarkohen zyrat e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.
(4) Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, ankimi dhe ekzekutimi i vendimeve bëhen në përputhje me Kodin e Procedurës Civile.
Neni 33
Marrëdhëniet me ligjet e tjera
(1) Çdo dispozitë ligjore që bie në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet.
(2) Ky ligj përbën burimin e vetëm të autoritetit në bazë të të cilit do të caktohen tarifat dhe çmimet e sektorit të ujësjellësave në Republikën e Shqipërisë.
Neni 34
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.1467, datë 18.4.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha